Bilbao është përfshirë nga kaosi përpara finales së Europa League mes Tottenham dhe Manchester United, ndërsa mijëra tifozë anglezë kanë “pushtuar” qytetin, duke shkaktuar zemërim dhe tronditje te banorët vendas. Rreth 80,000 tifozë të dy ekipeve kanë zbritur në qytetin bask, duke kthyer qendrën në një skenë rrëmuje, zënkash dhe sjelljesh antisociale.
Qindra tifozë të Tottenham u mblodhën në bulevardet kryesore të qytetit duke bllokuar trafikun dhe duke konsumuar birrë për orë të tëra. Disa prej tyre, shpesh pa bluza, u ngjitën në shtylla ndriçimi, shkatërruan semaforë dhe dëmtuan pronat publike. Policët detyruan baret të mbylleshin përpara mesnate, ndërkohë që tifozët kishin konsumuar birrë për më shumë se 12 orë.
Ndërkohë, tifozët e Manchester United “pushtuan” sheshin historik Plaza Nueva. Një tifoz, i dehur, tentoi të ngjitej në një ballkon përmes skelës, por u ndal nga pronari i banesës me një shkop në dorë, mes brohoritjeve të të tjerëve.
Policia ndërhyri pasi nisën përleshjet e para mes tifozëve të United, ndërsa pronarët e bareve dhe banorët shprehën neveri. “E dua futbollin, por kjo sjellje është e turpshme”, u shpreh një banor i moshuar. “Këta nuk janë tifozë, janë huliganë”.
Në të dy zonat ku u grumbulluan tifozët, u raportua edhe prani e shitësve të drogës, që ofronin kokainë për rreth 100 euro për pako.
Për shkak të çmimeve të larta të hoteleve në Bilbao, shumë tifozë janë akomoduar në San Sebastian dhe Santander, ku gjithashtu pati incidente dhe përplasje mes tifozëve.
Pavarësisht gjithçkaje, nuk raportohet për arrestime apo incidente të mëdha deri më tani. Organizatorët kanë marrë masa të forta sigurie me 5,000 forca policore, tre unaza sigurie përreth stadiumit “San Mamés” dhe ndarje të qendrës së qytetit sipas tifozerive. Ekrane gjigante janë vendosur për tifozët pa bileta. (A2 Televizion)