Manchester City ka marrë një fitore të rëndësishme 3-1 ndaj Bournemouth në “Etihad Stadium”, në atë që ishte ndeshja e fundit në shtëpi për Kevin De Bruyne. Mesfushori belg u përshëndet me ovacione nga tifozët në daljen e tij të fundit para publikut vendas, ndërsa “qytetarët” hodhën një hap të madh drejt sigurimit të vendit në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Pas zhgënjimit të madh në finalen e FA Cup ndaj Crystal Palace, fitorja ndaj Bournemouth ishte jetike për skuadrën e Pep Guardiolës, që ka zhvilluar një sezon larg pritshmërive. Tashmë, një pikë në sfidën e fundit ndaj Fulham do të mjaftonte për t’i rikthyer City-n në elitën evropiane, shkruan A2 CNN.
Omar Marmoush hapi serinë e golave me një goditje spektakolare nga 30 metra, që u përplas në shtyllë dhe përfundoi në rrjetë. De Bruyne pati mundësinë të shënonte në ndeshjen e tij të lamtumirës, por humbi një rast të pabesueshëm përballë portës bosh, duke goditur traversën.
Bernardo Silva shënoi golin e dytë për vendasit, ndërsa Evanilson i Bournemouth rrezikoi në një aksion ku topi përfundoi në shtyllë. Nico Gonzalez, i sapo futur në lojë, shënoi të tretin për City, ndërsa Dan Jebbison shkurtoi diferencën në fund.
Ndeshja u mbyll me nga një karton të kuq për secilën skuadër: Mateo Kovaçiç u ndëshkua si “lojtari i fundit” në një ndërhyrje ndaj Evanilson, ndërsa Lewis Cook u përjashtua për një faull të ashpër ndaj Gonzalez.
Një mbrëmje e veçantë në “Etihad”, ku përveç fitores, u përjetua edhe emocioni i largimit të një legjende si De Bruyne pas 142 paraqitjesh në kampionat për City. (A2 Televizion)