Partizani dhe Tirana nxehin motorët para derbit. Në pritje të supersfidës së kryeqytetit, dy skuadrat do të luajnë ndeshjet e javës së23-të të Superiores. Demat e kuq i pret transferta e vështirë me Laçin, që kërkon t’i largohet zonës së rënies nga kategoria, shkruan A2 CNN.
“Na pret ndeshje shumë e vështirë ndaj Laçit. I respektoj sepse janë skuadër mjaft e mirë, më pëlqejnë disa prej lojtarëve që kanë. Por sigurisht ne mendojmë për vete. Kemi disa lojtarë me probleme shëndetësore, ju e dini që qarkullon viroza e stinës. Do të kemi një raport mjekësor për të vlerësuar cilët do të jetë të gatshëm. Ndeshja bëhet edhe më e veçantë, sepse me Laçin do të luajë pas tre ditësh edhe në Kupë, ndërsa më pas kemi derbin. Në merkaton e janarit na u larguan disa lojtarë cilësorë dhe kemi realizuar disa afrime. Mund të kem shumë dëshira, por e pranoj realitetin si është”, tha Aleksandar Veselinović.
Tirana në anën tjetër është e angazhuar përballë Elbasanit. Pas fitores në rikthimin e trajnerit Shkëmbi, as fakti që ndeshjet në shtëpi i luajnë në Niko Dovana të Durrësit nuk është justifikim.
“Fitorja gjithmonë të jep kënaqësi. Një kënaqësi që nuk është se na zgjati shumë. Ndeshja e radhës është shumë më e rëndësishme se ajo që kaloi. Luajmë kundër një skuadre që ka pasur objektiva madhore këtë vit, pavarësisht se nuk po kalojnë një moment të mirë. E dimë që do të jetë e vështirë. Patjetër që rezultati pozitiv nga bën të ndihemi më mirë, por e dimë shumë mirë që duhet të kemi vazhdimësi. Do të doja të luanim te “Air Albania”, nuk diskutohet. Jemi marrë më shumë me skuadrën që të bëjë maksimumin, kudo që mund të luajmë, mos kërkojmë justifikim. Nuk i kam sytë nga derbi, i kam te ndeshja me Elbasanin, sepse është shumë e rëndësishme. Për vetë situatën ku jemi është normale, për këtë fanellë patjetër që duhet të kesh presion”, tha trajneri i Tiranës.
Në sfidën tjetër të së shtunës, Dinamo luan kundër Skënderbeutnë “Elbasan Arena”. (A2 Televizion)