Java e 27 e Kategorisë Superiore nis këtë të shtunë me dy ndeshje të bukura dhe mjaft interesante. Vllaznia udhëton në Laç. Pavarësisht transfertës së vështirë që i pret, kuqeblutë duan vazhdimësi, shkruan A2.
Në 6 ndeshjet e fundit të zhvilluara mes kampionatit dhe Kupës, shkodranët nuk njohin humbje. Nga ana tjetër, kurbinasit kërkojnë t’i largohen sa më shumë zonës së ftohtë të renditjes dhe për këtë, tre pikë do të ishin shumë të rëndësishme.
“Duhet të jemi profesionistë, pasi e dimë që luajmë kundër një ekipi të fortë si Laçi, është një ndeshje ndryshe si ajo që patëm me Elbasanin këtu në Shkodër, duhet të jemi të jemi të fokusuar për të fituar ndeshjen, ndihemi mirë dhe tani fokusi është vetëm te Laçi. E dimë është që një nga ndeshjet më të forta në kampionat, kanë një trajner me mjaft eksperiencë, Laçi është rritur shumë në lojë në krahasim me fillimin e sezonit. Janë komplet një ekip ndryshe, por e dimë që jemi Vllaznia, jemi të fortë dhe duhet të arrijmë objektivin e fitores”, tha trajneri i Vllaznisë, Brdariç.
Përballje e fortë në letër është dhe ajo mes Elbasanit dhe Partizanit. Dy skuadra të forta që do të zbresin në fushë me objektiv fitoren. Me shumë gjasa një fanellë titullari në këtë ndeshje do të marrë Albers Keko, ndërsa pjesa tjetër nuk ndryshon.
Tre sfidat e tjera janë programuar ditën e dielë. Bylis pret në shtëpi Skënderbeun në duelin e mbijetesës. Tirana luan me Dinamon në Elbasan, ndërsa Egnatia pret në Rrogozhinë Teutën. (A2 Televizion)