Kryeqyteti vishet bardheblu ! Tirana fitoi 3-1 ndaj Partizanit në derbin e kryeqytetit. Bardheblutë bënë diferencën në pjesën e dytë dhe i japin një tjetër goditje rivalëve të tyre, që vazhdojnë të vuajnë në kampionat.
Skuadra e Tiranës e nisi sfidën në mënyrën më të mirë të mundshme. Vetëm në minutën e shtatë, Redon Xhixha lëshoi një goditje të fuqishme me të majtën nga distanca, duke realizuar një gol spektakolar dhe duke ndezur festën bardheblu.
Partizani reagoi dhe iu afrua barazimit me Altin Aliun, goditja e të cilit u ndal nga shtylla. Por në minutën e 36-të, pas një kombinimi me Xhuljano Skukën, Elson Himallari dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer ekuilibrat. Pjesa e parë u mbyll në barazim, 1-1.
Edhe pas pushimit, të kuqtë patën mundësinë të kalonin në avantazh, por Altin Aliu u ndal sërish nga shtylla. Dhe kur Partizani nuk shfrytëzoi rastet e tij, Tirana goditi në momentin e duhur. Në minutën e 79-të, Bojan Ilievski përfundoi me sukses një aksion të bukur të bardhebluve, duke rikthyer avantazhin. Katër minuta më vonë, Tomislav Kish u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke vulosur fitoren 3-1.
Një triumf që vlen më shumë se tri pikë për Tiranën, ndërsa për Partizanin, derbi i parë i sezonit kthehet në një tjetër zhgënjim. Aktualisht , pas 6 javësh Tirana është në kuuotën e 8 pikëve në vendin e katërt ndërsa Partizani me 4 pikë pozicionohet në vendin e parafundit , vetëm 1 pikë më shumë se Skënderbeu i vendit të fundit.
(A2 Televizion)