Kjo mesjavë rikthen në fushë Kupën e Shqipërisë me ndeshjet e fazës së 1/8. Tetë takimet interesante do të luhen të gjitha ditën e mërkurë dhe kualifikimi për në çerekfinale do të vendoset me një ndeshje. Tirana do të përballet me Korabin në stadiumin Selman Stërmasi.
Bardheblutë nuk kanë histori të bukura me dibranët pasi edhe në ndeshjen e fundit që janë përballur, Korabi i eliminoi nga Kupa në 2020, falë golit të Skukës.
Megjithatë siç kanë theksuar disa herë, Tirana e këtij sezoni do të luajë për çdo trofe dhe për këtë do rreshtohen në fushë me formacionin më të mirë.
Takim interesant është dhe ai mes Egnatias dhe Lushnjës. Edhe pse rrogozhinasit vijnë si favoritë, Lushnja ka treguar jo pak herë se mund të surprizojë ekipet e mëdha. Ndërkohë Partizan do të përballet me Apoloninë.
Të kuqtë vijnë pas përmbysjes spektakolare që i bëri Laçi megjithatë morali i skuadrës mbetet i lartë. Ndeshje e bukur është dhe ajo mes Laçit dhe Dinamos.
Dy ekipe të elitës që luftojnë për të njëjta objektiva si në kampionat ashtu dhe në Kupë. Në të njëjtën orar 13:00. do të luhen edhe dy sfida të tjera që premtojnë emocione si Kukësi – Elbasani dhe Erzeni – Bylisi.
Dy ndeshjet e tjera të Kupës së Shqipërisë do të luhen në orën 17:00.Vllaznia pret Flamurtarin në stadiumin "Loro Boriçi".
Shkodranët kërkojnë vazhdimësi dhe pas 5 fitoreve radhazi në kampionat, kërkojnë që këtë formë ta kenë dhe në Kupë, një trofe që kuqeblutë do të luftojnë shumë për ta bërë për vete.
Përballje elite është dhe ajo në "Niko Dovana" të Durrësit, ku Teuta sfidon Skënderbeun për një vend në cerekfinale. (A2 Televizion)