Liverpool kthehet në +7 nga Arsenal, Tottenham thyen Man. United

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2025, 11:53 | Futboll

Liverpool kthehet në +7 nga Arsenal, Tottenham thyen Man. United

Liverpool rikthehet te fitoret në javën e 25-të të Premier League, duke harruar barazimin në shtesë dhe sherrin pas derbit me Evertonin. Reds mposhtën 2-1 Wolverhampton, duke rritur sërish në 7 pikë distancën nga Arsenali ndjekës.

Skuadra e Arne Slot kaloi në avantazh pas vetëm 15minutave lojë me Luis Diaz. Kolumbiani i vodhi kohën kundërshtarit dhe e dërgoi topin në rrjetë me bark, pas kontrollit të gabuar të Salah dhe devijimit nga Toti.

Superioriteti i dukshëm në fushë u konkretizua edhe me golin e sigurisë nga Salah në të 37-ën, pas penalltisë së fituar nga Luis Diaz. Egjiptiani u ngjit në kuotën e 23 rrjetave në këtë kampionat dhe është pretendenti kryesor për të fituar çmimin e golashënuesit.

Wolverhampton realizoi golin e nderit me Matheus Cunha në të 67-ën, por e majta fantastike në shtyllën e largët nuk mjaftoi për të ndezur shpresat dhe evituar humbjen.

Në ndeshjen tjetër të së dielës, Tottenham mposhti 1-0 Manchester United. Sfida e luajtur në Londër, ndërmjet dy skuadrave që kanë zhgënjyer më tepër në këtë sezon, u vendos nga goli i Maddison.

As udhëtimi i gjatë drejt stadiumit, prej 4 orësh me autobus, pasi treni u anulua, nuk shërben si justifikim për Djajtë e Kuq, që zbresin në vendin e 15-të në renditje me vetëm 29 pikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos