Man. City kërkon ndeshjen perfekte kundër Real Madrid

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2025, 11:40 | Futboll

Man. City kërkon ndeshjen perfekte kundër Real Madrid

Pas Milanit, një tjetër emër i madh i futbollit Europian do t’i japë lamtumirën Champions-it. Duelet e kësaj të mërkure në play-off rezervojnë supersfidën Real Madrid - Manchester City. Dy skuadrat luajnë ndeshjen e kthimit, pas fitores rokamboleske 3-2 të mbretërorëve në Angli.

“Ka presion, por është normale. Nuk mund të luash mirë nëse nuk je nën presion. Fitorja do të varet nga paraqitja në fushë, por edhe nga menaxhimi i episodeve në një prej stadiumeve më të mëdhenj në botë. Për të mposhtur Realin e Madridit duhet një ndeshje perfekte. Pas humbjes në ndeshjen e parë nuk ndodhemi në pozitën më të mirë, kemi vetëm 1% shanse të kalojmë, por duam të fitojmë”, tha Guardiola.

“Pep nuk mendon realisht se ka aq pak shanse. As neve nuk jemi 99% të kualifikuar. Pres një ndeshje zbavitëse, të ndërlikuar dhe të vështirë. Duhet të jemi të aftë në menaxhimin e lojës. Edhe pse është një ndeshje tjetër, do ishte qesharake të themi ta nisim sikur jemi në barazim 0-0. Në fakt kemi fituar 3-2 ndeshjen e parë, kemi një avantazh të vogël. Duhet ta shfrytëzojmë dhe të provojmë të luajmë njësoj si në 90 minutat e para”, tha Anceloti.

Mbrëmjen e sotme, Juventusi do të kërkojë kalimin në 1/8në transfertën me PSV Eind’hoven. Bardhezinjtë nisen nga avantazhi 2-1 i ndeshjes së parë. Ndërkohë, PSG dhe Borussia Dortmund e kanë hipotekuar kualifikimin, pas fitoreve 3-0 në ndeshjet e para. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos