Milan ka marrë një fitore me shumë peshë ndaj Bolognës, duke triumfuar 3-1 në stadiumin “San Siro”, vetëm pak ditë përpara finales së Kupës së Italisë mes dy ekipeve.
Pavarësisht një pjese të parë të qetë, pjesa e dytë solli emocione të shumta. Bologna zhbllokoi sfidën me Riccardo Orsolinin në minutën e 49’, duke shokuar tifozët kuqezi.
Por reagimi i Milanit nuk vonoi. Santiago Gimenez, i futur në lojë në fraksionin e dytë, barazoi në minutën e 73’ pas një aksioni të bukur të nisur nga Pulisic.
Vetë amerikani shënoi pesë minuta më vonë golin e përmbysjes, ndërsa Gimenez vulosi rezultatin në minutën e dytë shtesë duke realizuar dopietën e tij personale dhe të tretin për Milanin.
Fitorja jo vetëm që i siguron Milanit tre pikë të rëndësishme në garën për një vend në Champions League, por shërben edhe si një sinjal i fortë për Bolognën, përpara përballjes së tyre të madhe në finalen e Kupës së Italisë, që do të zhvillohet më 15 maj në stadiumin “Olimpico” të Romës. (A2 Televizion)