Miqësorja me Ukrainën, Muçi dëmtohet dhe lë grumbullimin, në dyshim Asani

Nga Dea Kozma
30 Mars 2026, 10:08 | Futboll

Kombëtarja shqiptare është gati për miqësoren me Ukrainën,  një ndeshje thjesht për formalitet për kuqezinjtë që ende ndjejnë dëshpërimin e eliminimit nga Botërori. Shumë ndryshime ka pësuar grupi gjatë këtyre ditëve që pas Ajetit dhe Ramdanit, është larguar dhe Ernest Muçi.

25-vjeçari nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo pasi është dëmtuar në pjesën e pasme të kofshës së djathtë. Kështu thekson komunikata zyrtare e  Federatës Shqiptare të Futbollit. Por ndërsa qeveria e futbollit shqiptar njoftoi largimin e Muçit nga skuadra, raportimet nga Turqia shtojnë se Muçi do të jetë i gatshëm për takimin e kësaj fundjave, kur Trabzonspori pret gjigandët e  Gallatasarajt.

Sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, në dilemë është dhe Jasir Asani, duke qenë se sot nuk u stërvit me grupin. 30-vjeçari ka pësuar një goditje në gjurin e djathtë dhe mbetet në dyshim nëse do të jetë apo jo gati për miqësoren.

Sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, të gjithë janë gati. Seancën e fundit stërvitore zgjati pak më shumë se një orë dhe lojtarët morën ngarkesën e plotë fizike. Ndeshja miqësore mes Ukrainës dhe Shqipërisë do të zhvillohet më 31 mars, në orën 20:45, në Valencia.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos