Reagimi ‘i çmendur’ pas golave të Kosovës, flet komentatori viral

Nga A2 CNN
30 Mars 2026, 09:44 | Futboll

Reagimi ‘i çmendur’ pas golave të Kosovës, flet

Një moment spontan, i mbushur me emocione të forta, është kthyer në fenomen në rrjetet sociale. Komentatori sportive, Ëngjëll Bërbatovci ka rrëfyer në emisionin televiziv “Dita Jonë” në A2CNN, se si reagimi i tij gjatë ndeshjes Kosovë-Sllovaki u bë viral, duke tërhequr vëmendje nga e gjithë bota.

Ai tregon se gjithçka nisi në kabinën e komentimit, ku paralelisht po ndiqte një tjetër ndeshje, por vëmendja e tij u zhvendos gradualisht drejt përballjes së Kosovës. Fillimisht skeptik për rezultatin ndaj një kundërshtari cilësor si Sllovakia, emocionet nisën të rriteshin me zhvillimin e lojës.

“U bë goli i parë i Sllovakisë dhe le të themi na u ‘prenë’ këmbët, po mbasandej gradualisht tu e pa ndeshjen nuk kisha shumë vëmendje te ndeshja që komentoja edhe filluan me m’pushtu emocionet e mia dhe gol pas goli reagimi veç u rrit. Dikur më nuk munda me u përmbajt, shprehet ai, duke shtuar se në momentin e përmbysjes së rezultatit shpërtheu pa kontroll”.

Edhe pse si profesionist përpiqet të ruajë balancën, Engjëlli pranon se në raste të tilla është e vështirë të ndash komentatorin nga tifozi.

Videoja e reagimit të tij, u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme. Ai thotë se nuk e kishte imagjinuar kurrë që një video në gjuhën shqipe do të arrinte deri në vende si Meksika apo India, madje duke tërhequr interes edhe nga media ndërkombëtare.

“Kam kuptuar që gjuha e dashnisë është një, e kuptojmë krejt emocionin, e kuptojmë krejt pavarësisht vendit nga je dhe se çfarë gjuhe flet”, shprehet ai.

Reagimi i tij ka marrë vëmendje edhe nga futbollistët e Kosovës. Sulmuesi Vedat Muriqi i ka dërguar një mesazh dhe një link nga media të huaja që kishin shpërndarë videon. Sipas Engjëllit, ky ishte një nga momentet më të veçanta pas publikimit.

Ai beson se kjo situatë ka ndihmuar sadopak në rritjen e interesit ndërkombëtar për Kosovën dhe ndeshjet e saj, sidomos përballjen e rëndësishme ndaj Turqisë.

Përtej virales, Engjëlli vijon angazhimin e tij në futboll, këtë herë si spiker në stadiumin Fadil Vokrri Stadium, ku pritet të motivojë tifozët në një nga ndeshjet më të rëndësishme për kombëtaren.

Ai pranon se do ta ketë të vështirë të kontrollojë emocionet në një atmosferë të tillë, por thekson se pikërisht ky kombinim mes profesionalizmit dhe pasionit është ajo që e bën sportin kaq të veçantë.

“Unë jam jashtëzakonisht i lumtur që po jetoj në këtë epokë, ku mundem me qenë dëshmitar i një suksesi të tillë, që unë po e llogaris pas pavarësisë së Kosovës,” përfundon ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos