Selca në krahinën e Mokrës edhe pse është një zonë ende e panjohur mirë, mbart një nga vlerat më të veçanta të antikitetit, jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë në rajon dhe Europë, shkruan A2CNN.
Varret mbretërore ilire në Selcë, kanë magjepsur çdo turist që ka patur mundësi t’i vizitojë, duke risjellë një pjesë të qytetit antik ilir Pelion, në shekujt e IV dhe të III para erës sonë.
Por ndonëse me një pasuri të tillë arkeologjike, Selca duket se ende nuk po thith siç duhet vëmendjen dhe turistët, dhe disa nga banorët e zonës kanë nisur të apelojnë institucionet për potencialin që duhet shfrytëzuar.
Dhe shkëndijat e para kanë nisur të duken në Selcë, ku një banor ka lënë emigrimin dhe ka vendosur të shërbejë në fshatin e tij. Studiuesit besojnë se vetëm një pjesë e vogël e historisë së qyetit antik ilir Pelion është zbuluar deri më sot në Selcë, ndërsa një pjesë e madhe e saj vazhdon të qëndrojë ende nën tokë, duke pritur zbulimet e ardhshme. (A2 Televizion)