Rezart Dabulla, i ftuar në studion e Mega Sport nga Altin Sulçe në A2CNN, kritikoi ashpër trajnerin e Kombëtares, Sylvinho, për zgjedhjet e tij në ndeshjen ndaj Polonisë, që kuqezinjtë e humbën 2-1, duke i dhënë fund kështu ëndrrës së Botërorit.
“Sylvinho është i paaftë. Nuk ka eksperiencën e duhur për këtë nivel. Dhe atje nuk kemi shkuar për aftësinë e trajnerit, kemi shkuar për aftësinë e lojtarëve. Vendosja e Bajramit në majë të sulmit ishte e gabuar. Bajrami atje në majë të sulmit s'ka luajtur kurrë. Pse e bëri këtë lloj bixhozi të shëmtuar, idiot, këtë lloj prove që s'e ka bërë kurrë? Pse nuk e provove me Muçin këtë?”, u shprej ish-futbollisti.
“Ata që ishin në stolin tonë kushtonin 50 milionë euro. Ata që luanin në fushë 10-15 milionë. Po ta bënte për shembull Bajrami golin ose Pilo, të gjithë do flisnim ndryshe. Por, ka shumë rëndësi fillimi dhe logjika se si fillon lojën, se pastaj episodet ose mund të të çojnë në majë, ose mund të zhysin në tokë. Duke u nisur me logjikë, para fillimit të ndeshjes unë mendoj që trajneri duhet të fusë lojtarët që janë më në formë për momentin. Dhe duhet të rrezikojë se kjo punë nuk është se po pret ndeshjen e kthimit. Dhe ti duhet të gjesh një mënyrë të caktuar që ta vësh vështirësi ekipin kundërshtar dhe mundësia më e mirë për ta vënë vështirësi kundërshtarin është të shohësh çfarë elementësh ke dhe duhet ta bësh skemën e lojës në bazë të elementëve cilësor që ke dhe që shyqyr Zotit i ke në formë ata që ke. Se është në formë edhe Muçi, edhe Mehmeti. Janë në formë të dy lojtarët. Ti duhet të bësh këtë lloj skeme. Ti nuk mund të futesh Bajramin që nuk po luan prej gjashtë muajsh. Vërtetë e bëri Hoxha golin, por për mua ishte dobët. Ai nuk bëri një driblim. Nuk ishte mirë fizikisht”, shtoi Dabulla. (A2 Televizion)