Gjermania, Portugalia, Spanja dhe Franca janë gjysmëfinalistet e Ligës së Kombeve të këtij edicioni. Të katër skuadrat u kualifikuan pas dueleve të kthimit, ku u shënuan 21 gola në 4 sfida, por një u mbyll me shtesa e dy të tjera me penallti.
Trincao u bë heroi i Portugalisë në një ndeshje me shumë emocione ndaj Danimarkës, shkruan A2. Cristiano Ronaldo ishte protagonist pasi humbi penallti e shënoi gol në pjesën e dytë. Por, u desh goli i Trincaos për të çuar ndeshjen në shtesa e më pas një tjetër nga ai sapo filluan shtesat për t’i dhënë avantazhin 4-2 portugezëve, ndërsa më pas Gonçalo Ramos vulosi shifrat 5-2 që siguruan vijimin e luzitanëve në këtë turne.
Spektakolare ishte ndeshja mes Spanjës dhe Holandës, të cilat pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë, dhuruan një rezultat të tillë edhe në 90 minutat e të dytës. Në shtesa Lamine Yamal shënoi një supergol për të kaluar iberikët në avantazh, por miqtë u përgjigjen me Xavi Simmons. Kështu, ndeshja shkoi te penalltitë për të përcaktuar ekipin gjysmëfinalist. Spanjollët triumfuan 5-4 dhe kaluan në gjysmëfinalen e Nations League.
Franca fitoi 2-0, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm. Shtesat nuk prodhuan gola të tjerë dhe u deshën penalltitë për të përcaktuar fituesin, ku rezultuan më të saktë francezët. (A2 Televizion)