Shkodër, AMP arreston 4 efektivë policie për shpërdorim detyre

Nga A2 CNN
2 Korrik 2026, 19:54 | Kronikë

Shkodër, AMP arreston 4 efektivë policie për shpërdorim

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie në Shkodër, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë nisur pas konstatimit se shtetasi Hasan Verracaku, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, nuk është gjetur në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje policore.

Pas veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e AMP-së, u bë arrestimi në flagrancë i katër efektivëve të Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër. Të arrestuarit janë inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari, Dioniz Hotaj dhe punonjësi Ridvan Zefi.

Sipas AMP-së, dyshohet se moszbatimi i detyrës së mbikëqyrjes ka bërë të mundur largimin e personit nën masë sigurie, duke krijuar dyshime për konsumimin e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Ndërkohë, shtetasi Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka thyer kushtet e vendosura nga gjykata.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos