Një dekadë me “Dardanët”, Valon Berisha i jep lamtumirën përfaqësueses së Kosovës

Nga Dea Kozma
5 Tetor 2026, 15:06 | Futboll

Një dekadë me “Dardanët”, Valon Berisha i jep

Një kapitull i rëndësishëm mbyllet për Valon Berishën dhe Përfaqësuesen e Kosovës. Mesfushori i dha sot lamtumirën zyrtare fanellës dardane, me një ceremoni të organizuar në stadium gjatë ndeshjes Kosovë-Austri.

Berisha vendosi të pensionohet nga futbolli ndërkombëtar pas një dekade me Kosovën. Ai e zgjodhi përfaqësuesen dardane në vitin 2016, pasi më parë kishte luajtur 20 ndeshje me Norvegjinë.

Debutimi me Kosovën erdhi më 5 shtator 2016, pikërisht ndaj Finlandës, në një ndeshje që përfundoi 1-1. Në atë takim, Berisha shënoi edhe golin e parë të Kosovës në një ndeshje kualifikuese, shkruan A2.

Në total, ai e mbyll aventurën me 52 paraqitje dhe 4 gola me Kosovën. Një prej momenteve më të veçanta ishte dygolëshi ndaj Anglisë, në humbjen 5-3 të Kosovës.

Berisha ishte pjesë e brezit që ndërtoi historinë e Përfaqësueses së Kosovës në vitet e para të saj në arenën ndërkombëtare. Në letrën e lamtumirës, ai kujtoi vendimin për t’u larguar nga Norvegjia dhe për të përfaqësuar Kosovën, duke e cilësuar atë si një nga vendimet për të cilat do të jetë krenar gjithë jetën.

Dhe sot, në stadium, erdhi edhe përshëndetja e fundit. Tifozët e duartrokitën, ndërsa presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i dorëzoi një fanellë speciale.

Një lamtumirë për një prej lojtarëve që ishte pjesë e rrugëtimit të parë historik të Kosovës në futbollin ndërkombëtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos