Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, e cilësoi të pamerituar humbjen 2-1 ndaj Finlandës, duke vlerësuar paraqitjen e kuqezinjve edhe pas mbetjes me 10 lojtarë.
Tekniku italian tha se Shqipëria u penalizua nga episodet dhe dy goditjet e dënimit, por theksoi se skuadra duhet të ruajë gjërat pozitive dhe të reagojë menjëherë.
“Deri te goli i tyre u pa vetëm një skuadër në fushë. Por edhe pas golit, kam shkuar të rishoh rastet dhe ne patëm më shumë mundësi. Nuk i lejuam të gjuanin asnjëherë në portë. Për fat të keq, ndëshkohemi nga dy goditje dënimi, pësojmë dy gola dhe penalizohemi shumë. Duke parë edhe indeksin e rrezikshmërisë, është e pabesueshme të humbësh një ndeshje të tillë. Por kjo na jep edhe më shumë forcë, sepse do të thotë se, edhe pse luajtëm me 10 lojtarë, zhvilluam një ndeshje të madhe dhe meritonim absolutisht një rezultat pozitiv.
Rezultati na penalizon, kjo është e vërtetë, por ajo që dua është ta shoh skuadrën përtej episodeve: një ekip që del në fushë dhe bën paraqitje të tilla. Nëse vazhdojmë të luajmë kështu, nuk kemi pse të shqetësohemi. Më vjen keq, sepse e donim këtë rezultat për tifozët që na ndoqën dhe për të gjithë ata që e duan Kombëtaren. E patë edhe në fushë: për fat të keq, ndonjë episod dhe ndonjë vendim i gjyqtarit, që për mua nuk u vlerësua siç duhej, na penalizuan. Por mbetet paraqitja. Duhet të mbajmë gjërat e mira dhe të rinisim menjëherë.” (A2 Televizion)