Pas daljes nga SPAK, ku zbatoi masën “detyrim paraqitje”, Sali Berisha u përgjigj edhe mbi momentin kur u këmbye me Edi Ramën Rinas.
“Unë po shkoja në Strasburg, ku pata takime të shkëlqyera. Ai u kthye nga Amerika ku u takua me Pjerinin dhe Taulant Ballën. Tani, a mund të imagjinojë kush që unë të takoj një njeri që nuk e takon njeri? Kurrën e kurrës”, tha Berisha, shkruan A2.
Jashtë vëmendjes së tij nuk mbetën ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ku edhe një herë theksoi se nuk ka pasur mbështetjen e Bashkimit Evropian: “Ndërkohë, unë u informova nga Strasburgu se Këshilli i Europës nuk është absolutisht dakort me asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama. A mundet një institucion i vërtetë i akuzës të heshtë para faktit se do të detyrohet t'ia çojë provat për të miratuar gjykatësit”.
Akuzat i vijoi për dosjen e Ergys Agasit, ku në masë “arrest në shtëpi” është ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni: “Ç’ka ndodhur? Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Vlora Hyseni dhe i gjithë enturazhi po e kuptojnë që i ka shitur Edi Rama. I pabesi, besë nuk ka”.
Dosja “Partizani” për llogari të së cilës Berisha paraqitet në SPAK, ndodhet në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme. (A2 Televizion)