"Playoff" i Botërorit, Shqipëria dhe Kosova mësojnë kundërshtarët

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2025, 13:39 | Futboll

Ëndrra amerikane vazhdon! Mesditën e kësaj të enjteje në Zyrih të Zvicrës është hedhur shorti për ndeshjet e Play Off-it në Kupën e Botës 2026. Goglat nuk kanë qenë shumë me fat për kombëtaren shqiptare, e cila do të luajë me Poloninë në Varshavë. Edhe pse në letër duket favorite, për shkak të eksperiencës që rivalët kanë në arenën botërore, kuqezinjtë e njohin mjaft mirë skuadrën polake.

Fati donte që edhe në vitin 2023 këto dy kombëtare të sfidonin njëra-tjetrën në kualifikueset e Euro 2024, ku në të dyja takimet kuqezinjtë bënë paraqitje pozitive: u mundën 1-0 në Varshavë dhe fituan 2-0 në Tiranë, shkruan A2 CNN. Në 90 minuta do të vendoset gjithçka. Nëse arrijnë të kalojnë Poloninë, në finale do të luajnë me fituesin e çiftit Suedi–Ukrainë.

Pasi siguruan biletën historike për në Play Off-in e Botërorit, tani synimi i përfaqësueses shqiptare është të marrë pjesë për herë të parë në Kupën e Botës.

Në anën tjetër, edhe përfaqësuesja e Kosovës do të provojë të bëjë realitet ëndrrën për të marrë pjesë për herë të parë në Botëror, edhe pse fillimisht duhet të masë forcat me Sllovakinë, në organikën e së cilës ka disa lojtarë të mëdhenj si Lobotka apo Milan Skrinjar. Në të kaluarën këto dy skuadra nuk janë përballur asnjëherë me njëra-tjetrën, as në një ndeshje zyrtare dhe as në një miqësore, kjo edhe për shkak se Sllovakia nuk e njeh Kosovën si shtet.

Nëse fiton me sllovakët, në finale Dardanët do të luajnë me fituesin e çiftit Turqi–Rumani. Gjithsej 16 skuadra garojnë për 4 biletat e kompeticionit që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithçka mbetet për t’u parë në ndeshjet e Play Off-it që do të luhen në muajin mars. Fillimisht janë gjysmëfinalet në datën 26 mars dhe finalet në 31 mars. Do të vendoset me vetëm një ndeshje dhe pritës do të jenë skuadrat e vazos së dytë. Pra, si Shqipëria ashtu edhe Kosova do të luajnë ndeshjet gjysmëfinale në transfertë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos