
Manchester United i dha lamtumirën Evropës në mënyrën më të keqe të mundshme. “Djajtë e kuq” u mundën 1-0 nga Bayern Munchen dhe e mbyllën fazën e grupeve në vendin e fundit, me vetëm katër pikë nga gjashtë ndeshje.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, por ishin gjermanët ata që kishin rastet më të pastra me Harry Kane apo Musiala.
Në pjesën e dytë, djemtë e Ten Hag u munduan të reagonin disi. Bruno Fernandes iu afrua disa herë golit, por topi nuk shkoi brenda në kuadrat. Gjermanët gjetën momentin më të mirë. Kane shërbeu për Coman me francezin që realizoi golin e vetëm të sfidës dhe eliminoi përfundimisht United nga Kupa e Evropës.
Në takimin tjetër, Copenhagen fitoi 1-0 ndaj Gallatasaray dhe janë danezët ata që kualifikohen në fazën e 1/8 ndërsa turqit do të luajnë playoff-in e Europa League.
Në grupin D u luajt një ndeshje direkte për kreun mes Interit dhe Real Sociedad, e cila nuk shkoi më shumë një barazim pa gola. Me këtë rezultat janë spanjollët ata që kulaifikohen në fazën e 1/8 si koka e grupit ndërsa zikaltrit e mbyllin në vendin e dytë. Në duelin tjetër të grupit Benfica mundi 3-1 Salzburgun dhe siguroi një biletë për në Europa League.
Edhe në grupin C nuk kishte surpriza. Real Madrid bëri detyrën dhe mbylli grupin me pikë të plota, 6 ndeshje dhe 6 fitore. Edhe këtë herë Los Blancos fituan 3-2 ndaj Unionit të Berlinit ndërsa Napoli mundi 2-0 portugezët e Bragës dhe kualifikohet si e dyta e grupit. Autogoli i Satçı në minutën e 9 zhbllokoi rezultatin, dhe pas tij Viktor Osimhen, po në pjesën e parë i vendosi vulën këtij kualifikimi.
Në grupin B janë Arsenali dhe PSV Eindhoven ato që marrin një biletë për në fazën tjetër. Topçinjtë barazuan 1-1 me holandezët e Eindhoven dhe kaq mjaftoi që dy ekipet të kalonin në 1/8 e Champions League. Ndërkohë Sevilla e mbylli rrugëtimin në Kupat e Europës në mënyrën më të keqe të mundshme pasi edhe në ndeshjen e fundit u mund 2-1 nga Lens dhe mbetet e fundit e grupit B. (A2 Televizion)