Nuk ndodhte prej 71 vitesh! 9 humbje në 12 ndeshje tronditin Liverpool-in

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2025, 12:15 | Futboll

Nuk ndodhte prej 71 vitesh! 9 humbje në 12 ndeshje tronditin Liverpool-in

Me shtatë fitore radhazi në nisje të sezonit, Liverpool dukej se ishte gati të mbronte titullin e Premier League dhe të shkonte larg në Champions League. Por tani, pas një disfate tronditëse 4-1 ndaj PSV-së në Anfield, skuadra ndodhet në serinë më të keqe të rezultateve që nga sezoni 1953-54.

Nëntë humbje në 12 ndeshje, tre humbje radhazi me diferencë tre golash dhe shtatë gola të pësuar për vetëm pesë ditë në një stadium që për vite është konsideruar kështjella e Liverpoolit. Statistika alarmante që kanë nxitur panik dhe zemërim te tifozët, shkruan A2 CNN. “Nuk kam më fjalë”, tha mesfushori Curtis Jones për RTE pas ndehsjes. “Është e papranueshme. Nuk kemi përgjigje”.

Nuk ndodhte prej 71 vitesh! 9 humbje në 12 ndeshje tronditin Liverpool-in

Arne Slot, i cili sezonin e kaluar fitoi titullin në debutimin e tij dhe u lavdërua si pasuesi ideal i Jurgen Klopp-it, tani përballet me dyshime serioze. Skuadra e tij është rrëshqitur në vendin e 12-të të Premier League dhe në vendin e 13-të të fazës së grupeve në Champions League.

Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Stephen Warnock, e përshkroi situatën si “të pashpjegueshme”. “Ka mungesë dëshire dhe intensiteti. Humbjet po shtohen dhe po e rëndojnë gjithçka”, tha ai.

Edhe Steven Gerrard, duke folur për TNT Sports, paralajmëroi se situata po afrohet rrezikshëm drejt një krize të vërtetë. “Skuadra është e hapur, pa vetëbesim dhe po vuan. Pa stabilitet dhe pa përgjigje, kjo situatë do të vazhdojë”.

Dështimet e merkatos dhe lëndimet po rëndojnë gjendjen. Investimet verore nuk kanë dhënë frytet e pritura, Alexander Isak, blerja rekord, ka shënuar vetëm një gol. Florian Wirtz është i dëmtuar. Milos Kerkez po vuan të gjejë ritmin. Ndërkohë, Slot po kritikohet për mungesën e ndryshimeve taktike, pasi në humbjen ndaj PSV-së bëri vetëm dy zëvendësime.

Në këtë kaos, një nga pak dritat pozitive është Dominik Szoboszlai, i cili i rikthyer në mesfushë ka sjellë energji dhe rrezikshmëri në sulm, duke shënuar edhe golin e nderit.

Nuk ndodhte prej 71 vitesh! 9 humbje në 12 ndeshje tronditin Liverpool-in

Liverpool po vuan jo vetëm sportivisht. Humbja tragjike e Diogo Jotës në korrik ka lënë gjurmë të thella te skuadra dhe te gjithë stafi. Warnock thotë se është e pamundur të ndahet performanca sportive nga trauma që ka përjetuar grupi. “Ka një pamje më të gjerë. Këtë sezon e rrethojnë rrethana krejt të ndryshme nga i kaluari”. Megjithatë, pavarësisht situatës së jashtëzakonshme, rezultatet janë ato që flasin dhe ato janë zhgënjyese.

Liverpool ka ende mundësi kualifikimi në Champions League, por përballjet me Interin dhe Marsejën duken të vështira. Ndërkohë, në Premier League i pret një transfertë po aq e rrezikshme kundër West Ham-it.

Warnock thekson se koha për justifikime ka mbaruar: “Çdo lojtar duhet të rikthehet te gjërat bazë. Secili po kalon një periudhë të vështirë dhe duhet të përmirësohet urgjentisht”. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos