Shorti i Play Off-it të Botërorit 2026 ka vendosur përballë Shqipërisë një kundërshtar të njohur, Poloninë. Për tifozët shqiptarë, përballja zgjon kujtime të forta, sidomos golin spektakolar të Jasir Asanit në ndeshjen vendimtare të kualifikueseve të Euro 2024, i cili u komentua gjerësisht si një nga realizimet më të bukura të Kombëtares në vitet e fundit. Megjithatë, ndërsa rikthehen emocionet, rikthehet edhe debati për mungesën e aktivizimit të sulmuesit shqiptar në ndeshjet e fundit nën drejtimin e trajnerit Silvinho.
Moderatori i emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN”, Altin Sulçe, është shprehur i habitur me mënyrën se si trajneri brazilian e ka menaxhuar çështjen Asani. Sipas tij, është e pakuptueshme që lojtari të grumbullohet rregullisht dhe të mos marrë asnjë minutë në fushë në më shumë se pesë ndeshje radhazi.

“E mundëm Poloninë me Asanin, që e bëri golin nga hëna në tokë. Ka mbi 5 ndeshje që Asani nuk luan fare me Shqipërinë. Nuk paska të drejtë fare Asani të luajë një minutë? Pse e merr në Kombëtare pastaj?”, u shpreh Sulçe, duke nënvizuar se lojtari jo vetëm që ishte vendimtar në kualifikuese, por aktualisht po paraqitet mjaft mirë me klubin e tij.
Debati rreth aktivizimit të Asanit ka qenë i vazhdueshëm. Në fillim, lojtarit iu kërkua më shumë ndikim në ndeshjet ku nuk shkëlqeu, ndërsa tani, paradoksalisht, pavarësisht formës së mirë që po kalon, ai nuk po gjen hapësirë në Kombëtare.
“Me gjithë ato gola që ka shënuar, nuk meriton të aktivizohet qoftë edhe një minutë kundër Andorrës?”, shtoi Sulçe. Me sfidën historike që afrohet, dilema mbetet: a do t’i japë Silvinho Asanit rolin që meriton në një moment kaq vendimtar për futbollin shqiptar? (A2 Televizion)
