Skënder Gega është rikthyer në krye të Partizanit për të drejtuar skuadrën për pjesën e mbetur të këtij sezoni, me mundësi rinovimi edhe për sezonin e ardhshëm. Lajmi është bërë i ditur nga klubi kryeqytetas nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Në një ceremoni të organizuar sot, presidenti i Partizanit, Gazment Demi, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm Olsi Rama dhe Drejtorin Sportiv Arbër Abilaliaj, prezantuan Skënder Gegën si trajnerin e ri të ekipit. Gega është rikthyer pas një periudhe mungese dhe do të udhëheqë skuadrën për të arritur objektivat e sezonit.
"Skënder Gega do të jetë pjesë e të kuqve deri në fund të këtij sezoni, me mundësi rinovimi edhe për sezonin e ardhshëm," shkruhet në njoftimin e Partizanit.
Gega ka një histori të shkëlqyer me Partizanin, duke udhëhequr skuadrën drejt titullit kampion në sezonin 2018-2019. Klubi beson se rikthimi i tij do të sjellë stabilitet dhe forcë për të kapur objektivat e këtij sezoni dhe më pas. (A2 Televizion)