Carlo Ancelotti rrezikon deri në 4 vite burg

Nga Erald Kodhelaj
28 Mars 2025, 15:01 | Futboll

Carlo Ancelotti rrezikon deri në 4 vite burg

Carlo Ancelotti dhe Real Madrid janë në ankth. Trajneri i mirënjohur italian rrezikon deri në katër vite burg, nëse ndaj tij konfirmohen akuzat për evazion fiskal.

Të mërkurën e ardhshme në kryeqytetin spanjoll do të nisë edhe gjyqi, ku tekniku është i pandehur. Njoftimi është dhënë nga Gjykata e Provincës së Madridit. Sipas prokurorëve të çështjes, Ancelotti i ka fshehur tatimeve mbi një milion euro në periudhën nga viti 2014 deri në 2015-ën.

Ajo ishte koha kur ai drejtoi për herë të parë stolin e Realit të Madridit. 65-vjeçari nuk kishte deklaruar të ardhurat nga shfrytëzimi i imazhit. Prokurorët i kanë kërkuar gjykatës një dënim mjaft të ashpër për trajnerin: 4 vjet e nëntë muaj burg.

Gjatë zhvillimit të gjyqit, çështja kryesore do të lidhet me vendin e rezidencës së Ancelottit, i cili u largua nga Reali gjatë sezonit 2014-2015, por sipas akuzës, Spanja vijonte të ishte “qendra kryesore për të në marrëdhëniet personale dhe për interesat ekonomikë” deri në fund të vitit. 

Tekniku i kishte paguar një gjobë tatimeve dhe në atë periudhë ishte mbrojtur duke deklaruar se nuk banonte në Spanjë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos