Merr fund pritja 5-vjeçare. Pas fitores 1-0 ndaj Vorës, Flamurtari siguroi ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.
Festa shpërtheu në Vlorë, ku qindra tifozë u mblodhën në hyrje të qytetit për të pritur dhe përshëndetur ekipin. Ndër ta u vu re edhe prania e Presidentit të klubit, Sinan Idrizi, i cili festoi bashkë me “Flotën Kuq e Zi”.
Me flamuj, fishekzjarre dhe brohorima, tifozët shprehën entuziazmin për këtë sukses të shumëpritur, ndërsa atmosfera elektrizuese tregoi sa shumë i kishte munguar qytetit ky moment.
Flamurtari ngjitet në elitë së bashku me Vorën, e cila e kishte siguruar Superligën disa javë më parë.
Sezonin e rregullt vlonjatët e mbyllën në vendin e dytë me 75 pikë, një më pak se Vora kryesuese dhe një më shumë se Besa e vendit të tretë. (A2 Televizion)