Në supersfidën e javës së 28 të Premier League, ndërmjet Manchester United dhe Arsenal, ai që buzëqeshi ishte Liverpool. Dueli në “Old Trafford” përfundoi në barazim 1-1, duke bërë që “Reds” të shkëputen me 15 pikë në krye të renditjes nga “Topçinjtë”.
Manchester United kaloi në avantazh me goditjen e dënimit të realizuar në mënyrë perfekte nga Bruno Fernandes, në shtesën e pjesës së parë, shkruan A2.
Arsenali rriti presionin, por në disa raste rrezikoi të pësonte golin e dytë. Pas rrezikut të evituar, në të 74-ën Rice e dërgoi topin në rrjetë, duke evituar humbjen për ekipin e Artetës.
Chelsea i dha vazhdimësi suksesit të një jave më parë, duke mposhtur edhe Leicester. Pas penalltisë së shpërdoruar nga Palmer dhe rasteve të miqve, “Bluve” të Londrës u shërbeu goli nga distanca i Cucurella për të marrë tri pikët.
Me këtë sukses, Chelsea kalon në renditje Manchester City në vendin e katërt, ndërsa Leicester mbetet i parafundit në zonën e rënies nga kategoria.
Rikthim spektakolar i Tottenham, që rikuperoi disavantazhin e dy golave në shtëpi përballë Bournemouth. Tavernier dhe Evanilson shënuan rrjetat e miqve, por vendasit fillimisht shkurtuan diferencën me Sarr dhe në të 84-ën barazuan rezultatin me 11-metërshin e Heung-min Son. (A2 Televizion)