Qeveria shqiptare ka miratuar fondin prej 80 milionë lekësh për “Durrah City Football Academy”.
Akademia e Futbollit “Durrah City” është pjesë e një projekti të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, së bashku me “City Group”, shkruan A2.
V E N D I M
PËR
FINANCIMIN E VEPRIMTARISË SË FONDACIONIT “DURRAH CITY FOOTBALL ACADEMY” PËR VITIN 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 2, dhe 19, pika 4, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Përdorimin e fondit prej 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) lekësh, të miratuar në buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në programin buxhetor 08140 “Për zhvillimin e sportit”, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, për financimin e shpenzimeve të ushtrimit të veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy”.
Fondi i përcaktuar, sipas pikës 1 të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e fondacionit, në bankën e nivelit të dytë.
Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit shkurt 2026, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2025, të miratuar nga bordi drejtues i fondacionit.
Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacionit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, duhet t’u nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.
Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU (A2 Televizion)