Ditëlindja e yllit të Barcelonës, Lamine Yamal, është kthyer në kryefjalën e mediave botërore.
Zgjedhja e pazakontë e spanjollit për të festuar ditëlindjen e tij të tetëmbëdhjetë në një vilë misterioze ka ngjallur shumë diskutime dhe polemika në Spanjë, shkruan A2.
Kjo për shkak se sulmuesi akuzohet se ka punësuar disa persona me nanizëm për të performuar një shfaqje argëtuese. Festa e lojtarit spanjoll është bërë në një fshehtësi totale, por ndër detajet e pakta që kanë dalë në dritë thuhet se afërsisht ka patur 200 të ftuar të cilët duhet të linin telefonat e tyre celularë te dera përpara se të hynin në vilë.
Të ftuarit ishin nga çdo fushë, jo vetëm lojtarë nga Barcelona, por edhe ekipi kombëtar spanjoll.
Modelja spanjolle Claudia Calvo e kishte refuzuar ftesën e futbollistit, ndonëse ky i fundit i kishte premtuar 15 000 euro për pjesëmarrjen e saj.
Mes gjithë kësaj trazire, shoqata spanjolle që përfaqëson njerëzit me nanizëm njoftoi se gjykata duhet të nisë hetimet për festën e organizuar nga Yamal. Sipas saj, këto janë veprime të patolerueshme sepse kthen stereotipet, nxit diskriminimin e të gjithë personave me aftësi të kufizuar. Shoqata njoftoi se do të ndërmarrë veprime ligjore dhe sociale për të mbrojtur dinjitetin, duke marrë parasysh se veprime të tilla shkelin jo vetëm legjislacionin aktual, por edhe vlerat themelore etike të një shoqërie që aspiron të jetë e barabartë dhe e respektueshme, thuhet mes të tjerash në deklaratën e shoqatës.
Festa zgjati deri në orët e para të mëngjesit, por kjo nuk e përjashtoi Lamine Yamal nga vizitat mjekësore të fillimit të sezonit, pasi vetëm disa orë më vonë futbollisti i Barcelonës kaloi me sukses të gjitha kontrollet në prag të sezonit të ri. (A2 Televizion)