Ish-mesfushori i Realit të Madridit, Jose Rodrigez është lojtari më i ri i Flamurtarit.
Klubi nga Vlora e ka zyrtarizuar spanjollin këtë të hënë, teksa lajmi për mbërritjen e tij në qytetin bregdetar kishte rrjedhur ditë më parë, pasi mesfushori kishte shtuar Flamurtarin në përshkrimin e “Instagram”.
Rodrigez është 31 vjeç dhe prej gushtit të kaluar ka qenë një futbollist i lirë. Eksperienca e fundit e tij ishte me Adana Demirspor në Turqi.
Kulmin e karrierës e pati te Real Madrid, ku debutoi në vitin 2012, me trajnerin Hoze Murinjo që i besoi debutimin në një ndeshje të Champions League.
Me ekipin e parë të Realit, Rodrigez luajti katër ndeshje ku shënoi edhe një gol. Vlen të theksohet se ai ka luajtur me brezin e artë të lojtarëve si Kaka, Benzema, Morata e Cristiano Ronaldo.
Spanjolli vjen në Vlorë pas ekseriencave si futbollist në ekipet e Real Madrid, Deportivo La Coruna, Malaga F.C, CF Fuenlabrada (Spanjë), Galatasaray, Adana Demirspor (Turqi), FSV Mainz 05 (Gjermani), Maçabi Tel Aviv, Hapoel Tel Aviv, Maçabi Haifa (Izrael), Fortuna Sittard (Holland), Union Saint-Gilloise (Belgjikë). (A2 Televizion)