Sot vendoset titulli kampion, Napoli pret Cagliarin ndërsa Inter udhëton në Como

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 14:53 | Futboll

Sot vendoset titulli kampion, Napoli pret Cagliarin ndërsa Inter

Dita e së vërtetës më në fund ka ardhur. Pas një beteje kokë më kokë që zgjati për më shumë se një muaj, Napoli dhe Interi do të luftojnë në distancë në javën e fundit të serie A.

Djemtë e Contes do të presin Cagliarin në “Maradona” ndërsa ekipi i Inzaghit udhëton në Como me shpresën e një hapi fals të napoletanëve. Vetëm një pikë diference mes dy ekipeve me Napoli që aktualisht mban kreun në elitën italiane

Si Kaljari dhe Como, dy rivalët e dy pretendentëve nuk kanë më ambicie për renditje, ndonëse si Nicola ashtu edhe Fabregas kanë premtuar se do të luajnë deri në sekondën e fundit. Për Napolin, Mjafton një fitore, ose edhe një barazim nëse Interi nuk fiton në anën tjetër dhe nëse dy ekipet e mbyllin në kuotë të barabartë pikësh pra Napoli humb me Kaljarin ndërsa Inter barazon me Komon atëherë do të shijonim finalen e titullit, një ndeshje direkte mes Napolit dhe Interit.

Megjithatë napolitanët kurrsesi nuk e mendojnë diçka të tillë. Madje në qytet  është programuar dhe festë me autobusë të hapur dhe  ekrane gjigantë për të gjithë ata tifozë që nuk mund ta shijojnë dot ndeshjen në stadium dhe  mund ta festojnë aty titullin e tyre të katërt në histori.

Në anën tjetër Inter do të shpresojë deri në fund të mrekullia. Lajme të mira vijnë për Lautaro Martinez që është stërvitur rregullisht dhe është gati për teknikun Simone Inzaghi dhe pse me shumë gjasa nuk do të ketë një fanellë titullari. Që nga minuta e parë pritet të luajë Korrea dhe Taremi ndërsa një mundësi sot në mesfushë do të ketë dhe Kristjan Asllani. 

Emocionet janë të garantuara. Historia ka treguar se edhe përmbysjet e mëdha ndodhin edhe atëherë kur mendon se ke siguruar trofeun. Dy takimet Napoli Kaljari dhe Inter-Komo do të luhen sot në mbrëmje duke nisur prej orës 20:45. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos