
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp ditën e premte, iu kthye ligjit për barazinë gjinore.
“Duhet të rikthehem edhe njëherë te ligji që i vuri kazmën në themel shtyllës më kryesore të ekzistencës së kombit shqiptar, që është familja. E them këtu, e përsëris, e thashë edhe dje në Parlament, është familja dhe mbi të gjitha familja shqiptare ajo që ka mbartur ekzistencën e këtij kombi, mbijetesën e tij në kushtet më të jashtëzakonshme. Në të njëjtën ditë kur Gjykata Supreme e SHBA, 9 vite pas gjykimit të Gjykatës Supreme të Francës, sanksionon dy gjini, mashkull, femër dhe përjashton njohjen e çdo gjinie tjetër, në Parlamentin e dhunës, të votës së vjedhur, votohet ligji në të cilin gjinia zëvendësohet me përkatësinë e shumëfishtë gjinore. Zëvendësohet me identitetin gjinor me diversitet të gjerë”, tha Berisha, shkruan A2.
“E gjitha kjo kalon pa debat në pabesi, në kundërshtim me marrëveshjen e arritur po dje paradite që ligji të afrohet dhe debati të zhvillohet jo pas orës 1 të natës, por në një kohë kur qytetarët mund ta ndiqnin. Dhe ata e votuan, por kur e kuptuan se ata nuk mund të mbronin para shqiptarëve ligjin që shkonfiguronte shtyllën kryesore të ekzistencës së kombit, familjen, vendosën ta votojnë pa debat, morën pushim gjersa i mblodhën në të katër anët deputetët që nuk i kishin dhe realizuan votimin siç e patë mbrëmë”, shtoi kreu demokrat. (A2 Televizion)
