Emocionet kuqezi kanë nisur të ndihen për kombëtaren shqiptare. Trajneri Silvinjo ka bërë publike listën me 27 emrat e thirrur për dy ndeshjet kualifikuese të botërorit 2026 që kuqezinjtë do të luajnë në qershor. Fillimisht ndaj Serbisë në 7 qershor dhe tre ditë më vonë ndaj Letonisë në transfertë. Në ndryshim nga ndeshjet e muajit mars, këtë herë në dispozision të trajnerit brazilian rikthehen Mitaj, Hysaj, Daku dhe Bajrami ndërkohë risia e vetme është portieri i Egnatias, Marjo Dajsinani
“Janë dy ndeshje shumë të vështira, dy skuadra shumë të forta fizikisht. Duhet të punojmë shumë mirë. Mesazhi i parë për lojtarët është se kam nevojë për të gjithë. Do të shpenzojmë shumë energji. Me Serbinë nuk është ndeshje normale, e njoh historinë. Por ne duhet të përqendrohemi te loja, mundësia që kemi për të bërë mirë. Ne luftojmë me zemër, me shpirt, nuk duhet të humbim identitetin tonë. Duhet të luajmë mirë futboll. Ndeshje e vështirë, por ne kemi mundësitë tona.
I pyetur për presionin që kjo ndeshje ka si dhe për deklaratën e presidentit të Serbisë “Mundini Shqiptarët në Tiranë”, tekniku Sylvinho u përgjigj: “Jo nuk më tremb, e bukura e futbollit është se zgjat 90 minuta dhe këtë e kam e mësuar shumë vite më përpara me eksperiencë. Janë dy ndeshje të vështira ku duhet të futemi shumë fort në fushë, të bëjmë më të mirën e mundshme dhe futbolli do të flas vetë. Unë jam i lumtur me lojtarët që kam përzgjedhur. E kam parë atë që ka ndodhur vite më përpara dhe nuk shqetësohem sepse do ti përgatisim lojtarët për të luajtur futboll 90 minuta dhe do të bëhet diferenca.
Në 1 qershor, kombëtarja shqiptare do të nisi zyrtarisht përgatitjet me grupin që do të jetë i plotë në shtëpinë e futbollit.
Lista e plotë:
Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Mario Dajsinani
Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Adrian Bajrami
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Arbër Hoxha
Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku
Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor, në “Arenën Kombëtare”, duke nisur nga ora 20:45.
Ndërsa ndeshja ndaj Letonisë do të luhet më 10 qershor, në stadiumin “Skonto Stadions”, po në orën 20:45.
(A2 Televizion)