Tare çon në Milano sulmuesin e shumëkërkuar nga Allegri

Nga A2 CNN
22 Gusht 2025, 16:45 | Futboll

Tare çon në Milano sulmuesin e shumëkërkuar nga Allegri

Sulmuesi nigerian Victor Boniface ka mbërritur në Milano, ku pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore përpara firmës me Milanin. 24-vjeçari, i cili vjen nga Bayer Leverkusen, është objekt i një marrëveshjeje huazimi me detyrim blerjeje, që arrin në 29 milionë euro. Me lojtarin është arritur një akord pesëvjeçar me pagë prej 3 milionë eurosh në sezon.

Edhe pse profili i tij shihet si një përforcim i rëndësishëm për sulmin, gjendja fizike e Boniface ka ngritur dyshime. Në karrierë ai ka pësuar dy herë dëmtime të rënda në ligamentin e gjurit, në sezonet 2018/2019 dhe 2020/2021, ndërsa edhe edicioni i fundit u shënua nga shumë ndalesa, me vetëm 27 paraqitje. Për këtë arsye, testet mjekësore do të jenë vendimtare, me fokus pikërisht tek gjuri i sulmuesit, shkruan A2 CNN.

Burime pranë klubit kuqezi bëjnë me dije se merkatoja e Milanit nuk mbyllet me Boniface. Në agjendë janë edhe dy afrime të tjera: një mbrojtës i besueshëm për të forcuar repartin difensiv dhe një talent i ri ofensiv, nëse Chukëueze largohet. Ndërkohë, Atalanta ka rihapur interesin për mesfushorin Musah dhe, sipas mediave italiane, një ofertë prej 30 milionë eurosh mund ta bindë Milanin për ta lënë të lirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos