
Ministri i Jashtëm i SHBA-së Marco Rubio në prag të bisedimeve në Majami për mundësinë e paqes në Ukrainën e sulmuar nga Rusia është shprehur i rezervuar. "Unë mendoj, se kemi bërë përparime, por kemi ende një rrugë të gjatë përpara dhe natyrisht më e vështira vjen gjithmonë në fund", tha Rubio në një konferencë shtypi në Uashington. Të shtunën (20.12.2025) ai tha, se do të jetë pjesërisht i pranishëm në bisedimet në Florida.
Në fundjavë në Majami takohen përfaqësues të qeverisë së SHBA-së për të biseduar veçmas me përfaqësuesit e Kremlinit dhe të Ukrainës për fundin e luftës. Pas bisedimeve ndërmjet shteteve kryesore të BE-së, SHBA-së dhe Ukrainës të dielën e kaluar (14.12.2025) në Berlin, ndërmjetësuesit ameikan duan që t'i koordinojnë rezultatet me përfaqësuesit e Rusisë në takimin e Majamit.
Edhe përfaqësues europianë në bisedimet në Florida
Para disa ditësh një zyrtar amerikan i nivelit të lartë vuri në dukje, se do të ketë takime me grupe pune. Të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues ushtarak, sipas këtij burimi. SHBA e konsideron veten si ndërmjetësuese në konflikt.Edhe përfaqësues qeveritar ukrainas dhe europianë do të marrin pjesë në këto takime në Florida, ndër ta edhe këshilltari i kancelarit Friedrich Merz për politikën jashtme, Günter Sautter. Ai ka udhëtuar qysh të premten për në SHBA, për "bisedime jo zyrtare me qeverinë e SHBA-së", njofton agjencia gjermane e lajmeve DPA duke iu referuar qarqeve qeveritare.
Sipas mediave është parashikuar edhe një takim me të ngarkuarin e posaçëm të presidentit Donald Trump për Ukrainën, Steve Witkoff. Në këtë takim delegacioni rus përfaqësohet nga këshilltari i presidentit Vladimir Putin, Kirill Dmitrijev. Ai do të bisedojë me Witkoff lidhur me rezultatet e bisedimeve dyditore të zhvilluara në Berlin. Për këtë nuk jepen detaje. Gjatë konsultimeve në Berlin një javë më parë temat qendrore ishin: Garancitë për sigurinë dhe çështjet territoriale. (A2 Televizion)