Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës mund të mos luhet më 9 tetor, ashtu siç ishte planifikuar fillimisht. Kjo për shkak se klubi bardheblu i është drejtuar FSHF-së me një kërkesë për shtyrjen e sfidës, për shkak të angazhimit të disa futbollistëve me kombëtaret.
Tirana ka katër lojtarë të grumbulluar me ekipet përfaqësuese, ndërsa rikthimi i tyre në Shqipëri pritet të jetë më i vonuar edhe për shkak të distancës gjeografike. Një prej rasteve është ai i Ilievskit, i cili më 6 tetor do të luajë me Maqedoninë e Veriut ndaj Zvicrës në transfertë, duke u rikthyer te klubi vetëm pas përfundimit të angazhimeve ndërkombëtare.
Përballë kësaj situate, Tirana ka kërkuar ndryshimin e datës së derbit, kërkesë e cila ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare nga FSHF, shkruan A2.
Federata ende nuk ka zyrtarizuar asgjë, edhe pse me shumë gjasa do të duhet të gjejë një datë të re për përballjen Partizani-Tirana. Të gjitha detajet pritet të përcaktohen në vijim, në varësi të kalendarit të kampionatit dhe angazhimeve të skuadrave.
Mbetet për t’u parë nëse derbi i kryeqytetit do të jetë ndeshja hapëse e javës së gjashtë të Superiores, ashtu siç ishte parashikuar më herët, apo Federata Shqiptare e Futbollit do të caktojë një datë të re për duelin që gjithmonë pritet me interes të madh nga tifozët. (A2 Televizion)