Shorti zyrtar i grupeve për Kupën e Botës FIFA 2026 do të mbahet më 5 dhjetor në Qendrën Kennedy në Uashington. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e njoftoi këtë në Zyrën Ovale së bashku me Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
"Është një nder të sjellim këtë ngjarje globale dhe këta atletë ikonikë në qendrën kulturore të kryeqytetit tonë", tha ai.
"Secila prej ndeshjeve do të jetë si një Super Bowl; do të jetë ngjarja më e madhe dhe më komplekse në historinë e sportit, duke tërhequr kaq shumë njerëz. Miliona tifozë do të vijnë këtu për të parë ndeshjet, miliarda dollarë do të rrjedhin në ekonominë amerikane dhe vende të panumërta pune do të krijohen në një kohë të shkurtër", shtoi presidenti i SHBA-së, duke vënë në dukje se Kupa e Botës do të gjenerojë 30 miliardë dollarë për ekonominë amerikane.
Në të njëjtën kohë, Infantino i dhuroi Trumpit biletën e parë për në finale. "Është fantastike", e falënderoi ai. (A2 Televizion)