Turi i tretë në Conference League, Egnatia luan me Olimpija Ljubljana, Dinamo sfidon Hajduk Splitin

Nga Dea Kozma
7 Gusht 2025, 11:24 | Futboll

Turi i tretë në Conference League, Egnatia luan me Olimpija Ljubljana,

Sot e gjithë vëmendja do të jetë në ndeshjet europiane që Egnatia dhe Dinamo do të luajnë në turin e tretë të Conference League. Rrogozhinasit përballen me sllovenët e Olimpija Ljubljanës. Lajmi i mirë për ekipin e Tetovës është se të gjithë lojtarët janë në formë të mirë fizike.

Në anën tjetër, te sllovenët situata nuk është aspak e mirë, pasi javën e kaluar shkarkuan trajnerin pas humbjes 5-0 në kampionat ndaj ekipit të Celjes. Mbetet për t’u parë nëse rrogozhinasit do ta shfrytëzojnë momentin e keq të rivalëve për të marrë një rezultat pozitiv që në ndeshjen e parë në transfertë. Dueli nis në orën 20:00.

Ndërkohë, Dinamo ka një detyrë më të vështirë, teksa përballet me Hajduk Splitin. Edhe pse në letër kroatët janë favoritë, tekniku Ilir Daja, së bashku me mbrojtësin Naser Aliji, theksuan se do të japin gjithçka për të arritur një rezultat pozitiv, shkruan A2 CNN.

“Na pret një ndeshje me koeficient të lartë vështirësie, jo vetëm për traditën që Hajduku ka në futbollin vendas, por edhe për eksperiencën në kompeticionet ndërkombëtare dhe mbështetjen e madhe të tifozëve që do të ketë. Ndeshjet me ekipet kroate kanë qenë gjithmonë të bukura, luhet futboll i bukur. Kohët ndryshojnë dhe ekipet ndryshojnë, sidomos në periudhë vere. Të respektosh kundërshtarin nuk do të thotë ta kesh frikë – do të japim gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv. Hajduku është favorit, por ndonjëherë vështirësitë të bëjnë më të fortë, të motivojnë më shumë”, tha Daja.

“Kemi parë disa ndeshje të Hajdukut. E kemi analizuar kundërshtarin dhe e dimë ku i ka pikat e forta dhe të dobëta. Hajduku ka lojtarë me cilësi, ka shumë, jo vetëm një apo disa. Një emër? Pajaziti... Siç e tha edhe profesori, nuk ka nevojë për motivim në këto ndeshje. Do të bëjmë më të mirën për të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje të rëndësishme”, u shpreh Naser Aliji.

Dueli Hajduk Split – Dinamo nis në orën 21:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos