Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim Eno Agasin, kushëririn e Ergys Agasit. Eno Agasi është shpallur në kërkim për akuzat: veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kontrabandë e mallrave që paguajnë akcizë dhe magazinim i mallrave që paguajnë akcizë.
Gjatë aksionit të SPAK, disa ditë më parë, BKH konstatoi në vilën e Ergys Agasit verëra të kontrabanduara. Pasi agjentët e BKH-së konstatuan kantinën e verës, njoftuan Drejtorinë e Doganave, pasi malli ishte kontrabandë, shkruan A2 CNN. Doganat bënë inventarizimin përgjatë disa orëve dhe përllogaritën një dëm prej 400 milionë lekësh ndaj buxhetit të shtetit nga mospagimi i akcizës. Për shkak se ishte natë dhe nuk mund të kryhej transporti, malli u la në ruajtje në vilë.
Gjatë natës, sipas prokurorisë, dyshohet se Eno Agasi ka hequr verën dhe më pas ka hequr edhe serverin e kamerave të sigurisë. Kur furgonët e Doganës kanë shkuar për ta marrë mallin dhe për ta dërguar në ruajtje, kanë konstatuar se ai nuk ndodhej më në kantinë.
Ergys Agasi është shpallur në kërkim nga SPAK, bashkë me Ermal Beqirin, pasi dyshohet se kanë urdhëruar marrjen peng të biznesmenit Gerond Mece, për ta detyruar të tërhiqej nga tenderat. Në arrest shtëpie është dërguar Mirlinda Karcanaj, drejtoreshë e AKSHI-t, si dhe nënkryetarja Hava Delibashi. (A2 Televizion)