Shqipëria U19 kalon e para në avantazh, por Italia e përmbys

Nga A2 CNN
5 Gusht 2025, 20:54 | Futboll

Shqipëria U19 kalon e para në avantazh, por Italia e përmbys

Shqipëria U-19 luajti pasditen e sotme takimin e parë miqësor kundër Italisë U-19. Në takimin e zhvilluar në Novarello Sporting Center, ekipi i drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj u mund me rezultatin 4-1.

Tekniku kuqezi e nisi sfidën me këtë formacion: Taho (GK), Avdullari, Sina, Gecaj, Shpuza, Gashi, Huqi, L. Krasniqi, B. Krasniqi, Arifi (C), Malaj, shkruan A2.

Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh falë golit të realizuar nga Besalet Krasniqi në minutën e 8-të. Por axurrët barazuan shifrat pas tre minutash me Cama-n, ndërsa pëmbysën rezultatin në minutën e 17-të me Federico Coletta-n. Vendasit shënuan edhe golin e tretë në minutën e 41-të me Artesanin. Trajneri Ahmataj bëri dy zëvendësime pak para përfundimit të pjesës së parë, duke hedhur në fushë El Malem dhe Sylejmanin. Fraksioni i parë mbyllet me shifrat 3-1 për Italinë.

Pjesa e dytë nis mirë për italianët, të cilët realizojnë golin e katërt me Atzenin. Trajneri shqiptar ndërhyri në fushë edhe në këtë fraksion duke hedhur forca të freskëta si Duka, Hoxha e Lataj. Gjithsesi deri në fund rezultati nuk ndryshon më, pavarësisht përpjekjeve të skuadrës sonë.

Ekipi kuqezi do të luajë të enjten sfidën e dytë miqësore të programuar ndaj Italisë në ora 11:00. Këto dy takime janë të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve të kualifikueseve të Europianit për këtë grupmoshë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos