
Vllaznia nuk po arrin të gjejë vazhdimësi në kampionat, duke lënë sërish pikë në “Loro Boriçi”. Skuadra shkodrane u ndal në një barazim 1-1 ndaj Bylisit, në një ndeshje ku avantazhi i pjesës së parë nuk u mbrojt deri në fund.
Të zotët e shtëpisë kaluan të parët në epërsi në minutën e 39-të, kur Kallaku realizoi një gol spektakolar, duke ndezur entuziazmin e tifozërisë vendase dhe duke i dhënë Vllaznisë avantazhin para pushimit.
Në pjesën e dytë, ritmi i lojës u rrit dhe Bylisi u shfaq më kërkues. Përpjekjet e miqve u shpërblyen kur Mustafa përfitoi brenda zonës dhe me një gjuajtje të saktë barazoi shifrat, duke i ndëshkuar shkodranët, shkruan A2 CNN.
Pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat në minutat e mbetura, rezultati nuk ndryshoi. Pas këtij barazimi, Vllaznia e drejtuar nga Edi Martini renditet në vendin e katërt me 26 pikë, ndërsa Bylisi mban vendin e tetë me 15 pikë. (A2 Televizion)