
Me humbjen e mbrëmshme të klubit madrilen kundër Osasunës, renditja ne tabelë mund të ndryshojë dhe Barcelona mund të përfitojë për t’i rrëmbyer kreun Real Madridit. Goli i Vinicius Junior për llogari të Realit ishte i pamjaftueshëm për t’i dhënë fitoren përballë Osasunës, që fitoi 2-1 në stadiumin El Sadar, në Pamplona të Spanjës, raporton A2CNN.
Reali ruan përkohësisht kreun me 60 pikë ne 25 ndeshje, ndërkohë që sot Barcelona mund të rimarrë kreun e La Ligas nëse mposht në "Camp Nou" Levanten. Barcelona aktualisht ka 58 pikë dhe me një fitore kundër Levantes këtë pasdite, ajo mund të ngjitet në kuotën e 61 pikëve.
Dy rezultatet e fundit të klubit katalan kanë qenë zhgënjyese, duke shënuar humbjen e thellë 4-0 kundër Atletico Madridit në Kupën e Spanjës dhe humbjen 2-1 ndaj Gironës, që I kushtoi kreun në kampionatin spanjoll.
Me rikthimin e lojtarëve si: Pedri dhe Rashford, trajneri Hansi Flick ka më tepër thellësi stoli dhe mundësi të alternojë formacionin në ndeshjen e sotme ndaj Levantes. Sidoqoftë, duket se gara për kampionatin mund të vazhdojë dhe të mos vendoset fituesi deri në javën e 38-të të La Ligës. (A2 Televizion)