
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, doli në konferencë për mediat një ditë përpara sfidës së rëndësishme Play-Off për Botërorin ndaj Polonisë, duke theksuar rëndësinë e këtij takimi për ekipin kuqezi.
Tekniku brazilian u shpreh se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në krahasim me vitin 2023, por nënvizoi se edhe kundërshtari ka evoluar në të njëjtën mënyrë. Ai e cilësoi përballjen si një nga më të rëndësishmet për Kombëtaren.
“Ne jemi përmirësuar shumë si skuadër nga viti 2023, po ashtu edhe Polonia. Sa i përket faktit nëse është ndeshja më e rëndësishme për Shqipërinë dhe për mua si trajner, sigurisht që kemi eksperiencën e Europianit, kemi luajtur edhe ndeshje të rëndësishme si ndaj Serbisë, që kishte edhe ngarkesë gjeopolitike, por besoj se ndeshja ndaj Polonisë është një nga më të rëndësishmet,” u shpreh Silvinjo, raporton A2CNN.
I pyetur nga gazetarët nëse do të flejë sot, kur jemi një ditë para ndeshjes, trajneri u përgjigj me humor: “Nuk fle prej dy muajsh.”
Sa i përket formacionit dhe aktivizimit të lojtarëve si Muçi, Pllana dhe Shehu, të cilët njohin kampionatin polak, Silvinjo tha se ende nuk ka vendosur përfundimisht: “Nuk e di kush do të jetë në fushë, por jam i kënaqur me të tre.”
Në fund, ai theksoi se gjithçka mund të ndodhë brenda 90 minutave dhe se mbështetja e tifozëve do të jetë një faktor kyç për Shqipëria në këtë përballje vendimtare. (A2 Televizion)