Ish-futbollisti i kombëtares dhe Partizanit, Ledio Pano, komentoi ndeshjen e ardhshme gjysmëfinale të Play-Off-it për Botërorin mes Polonisë dhe Shqipërisë, gjatë një interviste në emisionin “Ditari i Pasdites” nga Pandi Gjata.
Pano e vuri theksin te forma e shkëlqyer e Ernest Muçit, për të cilin tha se është lojtari më në formë i momentit dhe një nga shpresat kryesore për të bërë diferencën. Po ashtu, edhe Anis Mehmeti u vlerësua si një element kyç, duke qenë në formë shumë të mirë dhe me performanca të qëndrueshme.
Në aspektin psikologjik, Pano beson se Shqipëria ka një avantazh të lehtë ndaj Polonisë, duke kujtuar paraqitjet pozitive të ekipit në ndeshjet jashtë fushe.
“Manaj është një mungesë e rëndësishme për ekipin, po ashtu edhe Daku. Manaj është një mungesë shumë e rëndësishme, sepse me lojën që zhvilloi në Serbi, me potencën që ka, e ndihmonte ekipin në fazën sulmuese. Broja nuk ka minuta në këmbë, s’është në rrjedhën e lojës. Ai që kemi të gjithë dëshirën të bëjë diçka është Muçi, sepse edhe në kampionatin ku luan është me nota pozitive dhe shënimi i golave prej tij ka qenë i rëndësishëm për ekipin dhe Muçin vet. Muçi është lojtari më në formë momentalisht. Mehmeti është një lojtar shumë i rëndësishëm, ka kohë që performanca e tij është jashtëzakonisht e mirë dhe thirrja e tij ishte e domosdoshme. Aktualisht bashkë me Muçin janë dy lojtarët më në formë. Kemi një përqindje pak më të madhe se sa Polonia në aspektin psikologjik. Ne ndeshjet që i kemi zhvilluar jashtë, i kemi zhvilluar jashtëzakonisht mirë. Unë besoj që duke hequr mënjanë formën e disa lojtarëve, që s’janë në 100 për qind, por duke parë rëndësinë e ndeshjesh, do të japin më tepër se 100 për qindshin e tyre. Besoj që ne duhet të jemi shumë të qetë në mënyrën e të luajturit, për ta goditur në momente të veçanta Poloninë”, shprehet Pano. (A2 Televizion)