
Dy futbollistët e kombëtares shqiptare, Mario Mitaj dhe Armando Broja, si dhe boksieri Jurgen Uldedaj janë shpallur “Qytetar Nderi” të Bashkisë Malësi e Madhe, në vlerësim të arritjeve dhe kontributit të tyre në sport.
Ceremonia u organizua nga Bashkia Malësi e Madhe, ku kryetari Tonin Marinaj theksoi rëndësinë e këtyre sportistëve si ambasadorë të denjë të zonës dhe të Shqipërisë në botë.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Mario Mitaj, i cili falënderoi për vlerësimin dhe u shpreh se ky nderim është një motivim shtesë për të vijuar përpara dhe për të dhënë më të mirën në fushën e lojës.
Ndërkohë, në ceremoni morën pjesë edhe familjarët e sportistëve të tjerë të nderuar, përkatësisht Xhevahir Broja, babai i Armando Brojës, si dhe Tonin Uldedaj, babai i boksierit Jurgen Uldedaj, të cilët shprehën mirënjohjen për këtë vlerësim.
Ky nderim vjen në një moment të rëndësishëm për kombëtaren shqiptare të futbollit, e cila ndodhet në prag të ndeshjes së 26 marsit në gjysmëfinalen e “Play-Off”-it të Botërorit ndaj Polonisë.
Në ceremoninë e organizuar për nder të tre sportistëve nga Malësia e Madhe morën pjesë përfaqësues politikë, të afërm, si dhe sportistë të rinj të zonës, të cilët shohin tek Mitaj, Broja dhe Uldedaj modele frymëzimi për të ndjekur ëndrrat e tyre në sport. (A2 Televizion)