Ceremonia e paprecedentë, Formula 1 prezanton makinat e 10 skuadrave

Nga Erald Kodhelaj
19 Shkurt 2025, 16:02 | Sporte të tjera

Ceremonia e paprecedentë, Formula 1 prezanton makinat e 10 skuadrave

Shtatë herë kampioni i botës, Luis Hamilton, u shfaq përherë të parë jashtë Italisë, i veshur me të kuqe si pilot i ri i Ferrarit. Kjo ndodhinë eventin e paprecedentë të organizuar nga Formula Një, ku nëpërmjet një ceremonie spektakolare përpara 15 mijë  tifozëve u prezantuan makinat e dhjetë skuadrave pjesëmarrëse.

Në Botërorin 2025, Hamilton do të përfaqësojë kokëkuqen, pas largimit nga Mercedes. Ai mori ovacionet më të mëdha nga spektatorët në momentin kur hipi në skenën e Londrës.

“Ndihem plot jetë, me shumë energji. Po nis një kapitull të ri dhe jam i përqendruar tek ajo që më pret përpara. Është krenari të jesh pjesë e kësaj skuadre. Një aventurë e re dhe emocionuese për mua”, tha Hamilton.

Spektakli që zgjati dy orë përfshinte spektakël dritash, lazera dhe performanca live nga ish-grupi i mirënjohur Take That, si edhe nga këngëtari i muzikës country, Kejn Braun.

Liberty Media, grupi i cili zotëron të drejtat e transmetimit të Formula Një, njoftoi se eventi kaloi një milion shikimet në kanalin e YouTube, duke thyer rekordet e mëparshme për transmetimet live-stream.

Spektakli në të cilën morën pjesë makinat e 10 skuadrave si edhe 20 pilotë, u transmetua direkt në të gjithë botën. Secila nga skuderitë kishte vetëm 7 minuta kohë të prezantonin njëvendëshet e tyre, një pjesë e të cilave nuk kishin motorë të instaluar dhe nuk do të hyjnë në pistë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos