
Primož Roglič është rikthyer fuqishëm në majat e Giro d’Italia, duke marrë bluzën rozë në Tiranë, në etapën e dytë. Në moshën 35 vjeç e gjysmë, slloveni i skuadrës Red Bull-Bora Hansgrohe, synon të bëhet fituesi më i vjetër në historinë e këtij turi legjendar, duke thyer rekordin e Fiorenzo Magni nga viti 1955 (34 vjeç e gjysmë).
Në kronometrin prej 13,7 kilometrash në kryeqytetin shqiptar, Roglič e humbi etapën për vetëm një sekondë ndaj britanikut Joshua Tarling (Ineos Grenadiers), i konsideruar si pasardhësi i Filippo Ganna. Megjithatë, me rezultatin e tij, slloveni rrëmbeu bluzën rozë me vetëm 1 sekondë epërsi ndaj danezit Mads Pedersen, fitues i etapës së parë, dhe 5 sekonda ndaj çekut Matias Vacek.

Tarling, vetëm 21 vjeç, fitoi me kohën 16'07", duke regjistruar një mesatare mbresëlënëse prej 51.003 km/h. Ai bëhet kështu fituesi më i ri i një kronometri në historinë e Giro-s. Pas tij u rendit australiani Jay Vine me 3 sekonda më shumë, ndërsa italiani Edoardo Affini, kampion aktual europian, u pozicionua i treti me 6 sekonda diferencë.
Ndërkohë, belgu Wout Van Aert, që dje ishte i dyti në sprint dhe kryesonte me 6 sekonda ndaj Roglič, përfundoi në 16'46", plot 38 sekonda prapa sllovenit. Roglič dominoi edhe ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë si Ayuso (+16"), Tiberi (+25"), Yates (+33") dhe Carapaz (+37"), falë një raporti ekstrem në biçikletë me 68 dhëmbë në rrotën e përparme.
Nesër zhvillohet etapa e tretë dhe e fundit në Shqipëri, në Vlorë, 160 km me 2800 metra ngjitje. E hëna është ditë pushimi, ndërsa të martën gara rifillon në Itali me etapën Ostuni-Lecce. Giro d’Italia përmbyllet më 1 qershor në Romë. (A2 Televizion)