Giro d’Italia, policia në Tiranë “pastron” rrugën nga makinat

Nga A2 CNN
8 Maj 2025, 15:36 | Sporte të tjera

Zbarkimi i çiklistëve nga e gjithë bota për “Giro d’Italia” në Shqipëri, ka bërë që policia të marrë të gjitha masat për ndalimin e qarkullimit në disa rrugë dhe largimin prej tyre të të gjitha makinave të parkuara, që mund të bëhen pengesë për zhvillimin normal të garës çiklistike.

Gjatë paradites së të enjtes, Policia Rrugore e Tiranës ka kryer zhvendosjen e dhjetëra automjeteve që pengojnë itinerarin e garës.

Fillimisht rrugët janë “pastruar” nga makinat e parkuara në mënyrë të gabuar, e që kanë qëndruar në rrugët e njoftuara zyrtarisht si të bllokuara, për një kohë të gjatë.

“Automjetet do të largohen me mjet ngritës (karrotrec) dhe do të çohen në një hapësirë të dedikuar, në rrugën e vjetër të Farkës, ku pronarët mund t’i tërheqin pas përfundimit të garës. Procesi i kontrollit dhe zhvendosjes do të vijojë deri sa të lirohet e gjithë hapësira e itinerarit të garës”, sqaron policia.

Ndërkohë, autoritetet i bëjnë thirrje thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve, të tregojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim, për zbatimin e këtyre kufizimeve që do të mundësojnë zhvillimin e garës në kushte optimale sigurie.

Gjithashtu, apelohet që të shmangen parkimet e gabuara, në akset e përfshira në itinerarin e garës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos