Konfirmohet ndeshja e kthimit, Mayweather dhe Pacquiao sërish në ring pas një dekade

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2026, 12:24 | Sporte të tjera

Konfirmohet ndeshja e kthimit, Mayweather dhe Pacquiao sërish në ring

Ndeshja e 2 majit 2015, ndërmjet Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao konsiderohet si një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e boksit. Ajo mban vendin e parë, si ndeshja që ka gjeneruar më tepër para në total, duke kapur shifrën e 600 milionë dollarëve. Ndeshjen e parë ndërmjet dy ikonave, të zhvilluar në Grand Garden Arena e fitoi me vendim të jurisë, Floyd Mayweather.

Pacquiao dhe Floyd kanë rënë dakord që të zhvillojnë një ndeshje kthimi, e cila do të zhvillohet me 19 shtator të këtij viti, tek “Sfera”, në Las Vegas. Kjo ndeshje do të transmetohet nga Netflix, e cila ka blerë ekskluzivitetin e transmetimit dhe kjo do të jetë ndeshja e parë e boksit, që do të zhvillohet aty.

 Mayweather ka një rekord profesional me 50 fitore, me 0 barazime dhe 0 humbje. Ndërkohë, Pacquiao ka një rekord me 62 fitore, 3 barazime dhe 8 humbje. Në një nga deklaratat e tij, Pacquiao thekson se në ndeshjen e parë ndaj Floyd, ai kishte shqetësime fizike, por nuk donte ta shtynte atë ndeshje dhe kjo sipas tij, rezultoi që ai ta humbte duelin e parë me amerikanin.

 Sidoqoftë, pak kohë më parë, ai u shpreh që do të ishte ai që do ta mposhtte Floyd-in. “Tifozët kanë pritur mjaftueshëm, ata e meritojnë këtë revansh,” tha Pacquiao. “Dua që Floyd të jetojë me atë humbje në rekordin e tij profesional dhe të kujtojë gjithmonë se kush ia dha atë”.

Ndërkohë që Floyd shprehet i sigurt në aftësitë e tij për t’i shkaktuar një humbje tjetër kundërshtarit filipinez. “Unë tashmë kam luftuar dhe e kam mundur Manny-n një herë,” tha Mayweather në një deklaratë. “Këtë herë rezultati do të jetë i njëjtë”.

Ndeshja që do të zhvillohet në Las Vegas do të shënjojë rikthimin në boksin profesional të të dy boksierëve. Mayweather do të rikthehet pas 9 vitesh si profesionist, ndërkohë që Pacquiao kthehet pas 5 vitesh në ring. Mayweather do të ndeshet gjithashtu me Mike Tyson në prill të këtij viti, në një ndeshje miqësore që do të zhvillohet në Republikën Demokratike të Kongos. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos