
Një djalë vetëm dyvjeçar nga Mançesteri i Anglisë ka hyrë në librin e rekordeve botërore falë talentit të jashtëzakonshëm në snooker. Jude Owens, në moshën 2 vjeç e 261 ditë, është konfirmuar nga Guinness World Records si personi më i ri në botë që ka realizuar një “double pot” në snooker, një goditje e vështirë ku me një të vetme futen dy topa në dy xhepa të ndryshëm, përcjell. Pak ditë më vonë, në moshën 2 vjeç e 302 ditë, ai vendosi edhe një rekord tjetër, duke u bërë më i riu që realizon një “bank shot” në bilardo, ku çoku përplaset në një ose më shumë anë të tavolinës para se të futë topin në xhep.

Për shkak të shtatit të vogël, Jude përdor një stol për të arritur tavolinën e snooker-it, por kjo nuk e ka penguar aspak të tregojë aftësi mbresëlënëse. Babai i tij, Luke Owens, thotë se talenti i djalit ishte i dukshëm që në momentin e parë kur ai preku stekën. Sipas Guinness World Records, Jude ka nisur të përdorë edhe teknika të avancuara dhe përdorimin e mbështetëses për goditje të vështira.
Përveç rekordeve, Jude është edhe personi më i ri që ka siguruar një sponsor në snooker dhe ka bërë një paraqitje speciale në Kampionatin Britanik të Snooker-it 2025. Ai ka takuar gjithashtu emra të mëdhenj të këtij sporti dhe ka fituar admirimin e tyre, duke u konsideruar nga shumëkush si një histori e rrallë suksesi në një moshë kaq të vogël. (A2 Televizion)