
Marc Márquez është rikthyer te fitorja në MotoGP, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Aragon me Ducati zyrtare. Spanjolli e mbylli garën përpara Pedro Acostës me KTM-në zyrtare dhe Marco Bezzecchi, i cili e nisi garën nga pole position.
Ky ishte suksesi i katërt i Márquez këtë sezon, të gjithë në gjashtë garat e fundit. Me fitoren në Aragon, ai ngjitet në vendin e dytë të klasifikimit të përgjithshëm, duke kaluar pikërisht Bezzecchin, ndërsa diferenca mes tyre është tashmë pesë pikë, shkruan A2.
Márquez i afrohet gjithnjë e më shumë liderit të kampionatit, Jorge Martín. Pas garës së Aragonit, vetëm 19 pikë i ndajnë dy pilotët: Márquez ka 237 pikë, ndërsa Martín 256. Bezzecchi mbetet gjithashtu në garë për titull, me 232 pikë.
Momenti vendimtar i garës erdhi në xhiron e gjashtë, kur Márquez parakaloi Bezzecchin në fund të vijës së drejtë më të gjatë të pistës MotorLand Aragón, pas një dueli spektakolar në frenim.
Acosta përfitoi nga beteja dhe kaloi gjithashtu Bezzecchin, duke u vendosur pas Márquez. Megjithatë, piloti i Ducati më pas shkëputi ritmin dhe marshoi drejt fitores, duke regjistruar edhe xhiron më të shpejtë të garës.
Pas pesë të parëve, vendin e gjashtë e mori Fermín Aldeguer, i ndjekur nga Fabio Di Giannantonio, Enea Bastianini, Diogo Moreira dhe Brad Binder. (A2 Televizion)